Neurodermitis – kur kruajtja bëhet e padurueshme

0

“Fëmijët, që vuajnë shumë nga neurodermitis, nuk mbyllin sy gjatë gjithë natës. Ata kruhen në gjumë pa vetëdije”, thotë Stephan Meller, dermatolog në klinikën universitare të Dyseldorfit, Universitätsklinik Düsseldorf.

Në Gjermani afro dhjetë deri 15 përqind e fëmijëve janë të prekur nga neurodermitis dhe rreth tre përqind e të rriturve. Edhe për Europën vlejnë të njëjtat shifra. Statistika globale mbi sëmundjen deri tani nuk ka, por ajo shfaqet kryesisht në vendet e industrializuara. Neurodermitis, një inflamacion kronik i lëkurës, është sëmundja më e shpeshtë e lëkurës te foshjnat dhe fëmijët.

Fëmijët e vegjël kruhen parreshturFëmijët e vegjël kruhen parreshtur

Një nga simptomat më të rënda është kruarja e fortë, e padurueshme. Një torturë, jo vetëm për fëmijën, por edhe për prindërit. Një zgjidhje është që fëmijëve t’u vishen dorëza speciale, ose t’u priten thonjtë, në mënyrë që të mos kruhen, derisa t’u dalë gjak.

A është shpëtim kortizoni?

Lëkura është tepër e thatë, e skuqur dhe me kore. Nga kruarja e vazhdueshme lëkura pezmatohet, aty mund të hyjnë bakterie, që shkaktojnë infeksione. Një rreth vicioz. Për të ulur pezmatimin dhe për të lehtësuar kruarjen jepet kortion, zakonisht në formën e pomadave dhe kremërave. Por kortizoni ka edhe efekte anësore: lëkura mund të bëhet më e hollë, enët e gjakut më të ndjeshme, dhe kjo bën që lëkura të këtë tendencë të infektohet. Kortizoni si mjekim i përhershëm nuk është zgjidhja optimale, por në rastet akute ai është i pazevëndësueshëm.

Sëmundja përparon në faza. Në këtë kohë shtohet pezmatimi dhe kruarja. Sa kohë zgjasin këto faza dhe sa shpesh ndodhin, ndryshon nga rasti në rast. Tek shumë njerëz ato rrallohen me rritjen e moshës. Simptomat mund të mposhten, por neurodermitis nuk është i shërueshëm, thotë mjeku Stephan Meller. “Neurodermitis është një sëmundje e trashëguar. Ndodhet në gjenet tona, pavarësisht nëse ne na krijohet neurodermitis apo jo, në situata të caktuara, dhe nga faktorë të caktuar. Këtë predispozitë ne nuk mund ta ndryshojmë.”

Sëmundje e trashëguar?

Shkaqet janë të shumta. Rrobat e forta, apo prej leshi janë shumë të këqija për njerëzit me neurodermitis. Për to ka veshje speciale me përmbajtje argjendi, sepse argjendi ka veti antibakteriale. Kështu evitohet sa më shumë të jetë e mundur acarimi i lëkurës.

Neurodermitis nuk është ngjitës, por lëkura e skuqur dhe e pezmatuar u duket fëmijëve e frikshme dhe e sikletshme. Nga kjo sëmundje vuajnë kryesisht fëmijët dhe të rinjtë. Rene Pfeifer ka qenë vetë i sëmurë. “Në kopsht kisha problem të madh, sidomos kur luanim. Fëmijët e tjerë i shihnin pjesët e dëmtuara të lëkurës dhe shpesh nuk dinin si të silleshin me mua.”

Por 30 vjeçari i sotëm është një nga ata, tek të cilët sëmundja me kohë jo vetëm që u reduktua, por u zhduk fare. Që kur ka qenë gjashtë vjeç nuk i janë shfaqur më simptomat dhe lëngimet. Atij iu shfaq sëmundja, kur ishte tre muajsh. “Më bënë një ditë një vaksinë dhe më vendosën përsëri në krevat, isha fëmijë i shëndetshëm pa asnjë shenjë neurodermiti, apo diçkaje tjetër. Të nesërmen prindërit nxorën nga shtrati i vogël një gjë të vogël të kuqe, që ishte bërë gjak duke u kruajtur. Ai gjatë gjithë natës ishte bërë plagë nga të kruajturit. Shumë shpejt prindërit e tij krijuan një grup vetëndihme, Shoqatën Federale të Neurodermitis Bundesverband Neurodermitis e.V. Kjo ka ndodhur para 30 vjeteve. Ndërkohë Rene Pfeifer është vetë kryetar dhe drejtor ekzekutiv i shoqatës.

Foshnjat kanë neurodermit kryesisht në fytyrë, krahë dhe këmbë, por edhe në shpinë. Në rastin më të keq në tërë trupin. Një shenjë e parë e sëmundjes të lëkurës mund të jenë koret në lëkurën e kokës, nga e cila vuajnë shumë foshnja. Këto ndryshime të lëkurës zakonisht zhduken pas foshnjërisë, por jo gjithmonë. Sëmundja shfaqet edhe në bërryla, prapa gjunjve, në qafë.

Shkaktarë të ndryshëm

Nganjëherë shoqërohet me alergji.Nganjëherë shoqërohet me alergji.

Shkaqet e sakta të sëmundjes inflamatore të lëkurës nuk janë të njohura, por shkaktarë mund të jenë “stresi, alergjitë, ose edhe bakteret dhe kërpudhat, që mund të jetojnë në lëkurën tonë”, shpjegon Stephan Meller. “Faktorë rreziku janë edhe ndotësit e mjedisit, si gazrat industriale dhe ato të makinave.”

Për pacientët më e keqja nuk është dhimbja e pjesëve të pezmatuara, por kruarja e vazhdueshme irrituese. Kështu mjekët kanë krijuar një shkallë për të matur kruarjen, të ngjashme me atë, që mat dhimbjet: “Ajo përdoret në studime, ku pacienti e përcakton në një shkallë prej një deri në dhjetë nivelin e nevojës për t’u kruar. Por kruarja nuk është gjithmonë e njëjta, ajo ka veçori të ndryshme. “Dhe me anë të pyetësoreve bëhen përpjekje për t’i karakterizuar veçoritë, për të marrë sa më shumë vesh mbi sëmundjen dhe për të zhvilluar ilaçet, që e bëjnë më të lehtë jetën e të sëmurëve me neurodermitis. /DW/

 

SHPËRNDAJE

S'KA KOMENTE