Home / AKTUALE / Mbi librin “Përmbledhje vlerash njerëzore” të prof. dr. Simë Gjon Dobrecit
Mbi librin “Përmbledhje vlerash njerëzore” të prof. dr. Simë Gjon Dobrecit

Mbi librin “Përmbledhje vlerash njerëzore” të prof. dr. Simë Gjon Dobrecit

Përmendore brezash

Me veprën “Përmbledhje vlerash njerëzore” prof. dr. Simë Dobreci, veç konstributit shkencor e kulturor, i ngriti edhe një përmendore intelektuale brezave të shkuar të të parëve, vetes së tij, brezit tonë dhe atyre që do vijnë.

Hajrullah Koliqi

Me prof. dr. Simë Dobrecin dhe me përmbajtjen e veprës së tij “Përmbledhje vlerash njerëzore” (2018), të cilën po e promovojmë sot, më lidhin rrënjët e përbashkëta, Mali i Krajës, zona e Nënrumisë dhe trevat përreth saj, atje në një cep të Shqipërisë etnike. Kjo, ndër të tjera, më nxiti që edhe unë të marr pjesë në këtë promovim dhe t’i them disa fjalë për autorin dhe për veprën e tij.

Profesor Simë Dobreci është me origjinë nga Dobreci i Ljares, që gjendet pikërisht pranë Rumisë së shejtë, tani e dhunuar dhe e sllavizuar. Fillet gjenealogjike të lokalitetit të Dobrecit dëshmohen nga shekulli XIII, nga koha e inaugurimit të kontëve fisnikë të Ljares. Studiuesit dëshmojnë se edhe Gjon Buzuku ishte nga këto treva dhe, natyrisht, ishte edhe bari shpirtëror i stërgjyshërve të tij shestanas. Në Ljare qëndroi për një kohë edhe selia e Argjipeshkvisë së Tivarit. Nga këto anë e kishte prejardhjen edhe ilirologu i shquar, akademiku Aleksandër Stipçeviq. Në vitin 1941 një delegacion (burra e gra) nga Shestani shkuan pët t’u takuar me Mustafa Krujën, asokohe kryeministër i Shqipërisë, me kërkesën që edhe Shestani t’i bashkohej Shqipërisë, sepse është trevë shqiptare etj.

Po në Ljare dhe në fshatrat tjerë të Shestanit ende mbijeton një kostum i veçantë grash, që sipas studiuesve, është shumë i hershëm. I ka rezistuar kohës dhe ka mbijetuar edhe diftongu buzukian “uo” i shqipes, siç dëshmojnë edhe këto vargje të një kënge popullore:

“Mrikalemë shoqeja jonë/ Hajde shoqe t’shkojmë per lule/ Besa shoqe fort po dou/ Fort po duo, fort po druo/ Fort po druo Dardhajmelin.”

Gjithashtu, në këto treva është ruajtur dhe përdoret edhe aktualisht imperfekti sigmatik karakteristik për dialektin jugor të shqipes, të cilin e provojnë edhe këto vargje:

“Larg ma livdonjin nji vashë/ Ma livdonjin besë s’e xuna/ Der’sa rashë e vashën pashë.”

Shestani dhe Kraja në tërësi, është një trevë krajatash dhe e thatë, pa ujë të gjallë, e për pasojë edhe trevë ublash e saranxhash, disa prej të cilave janë edhe disashekullore dhe me emër, si ubla e Krajës, ubla e kushtit në Ljare, ubla e Lens Pinçanjore, ublat e Prençit Palit, ubla e madhe në Kështenjë, ublat e Trilerave etj. Mbijetoi edhe banieri ogurbardhë, një flamur me prejardhje pagane, i stolisur me gjethe të njomë dhe me lule (kavili e devesili) etj.   

Pra, fjala është për një rezervat të veçantë historik, kulturor, etnografik, gjuhësor e folklorik shqiptar, me rrënjë të thella në lashtësi, por që aktualisht është në prag të degjenerimit tragjik dhe të asgjësimit përfundimtar.

Pikërisht në këtë rezervat dhe në këto rrethana profesori dhe doktori i nderuar, Simë Gjon Dobreci, qëmtoi, mblodhi, sistematizoi dhe publikoi materialin e rrezikuar, kryesisht në revistën emblematike “Buziku”, ndërsa tani në librin që po promovojmë. Vlerat e gjetjet e rralla, me interes të veçantë,autori i sistematizoi kryesisht në kapitullin e parë të librit, të nëntitulluar me modesti karakteristike për autorin “Dromca për gjuhën shqipe, traditën dhe historinë”. Emëruesi i përbashkët i të gjitha “dromcave” (88 sosh në këtë kapitull), nga koha pagane deri në kohën tonë, të mbledhura dhe publikuara nga Simë Dobreci, janë atdhedashuria dhe humanizmi pa kushte. Kjo dëshmon edhe një herë vlerësimin tim të mëparshëm se “Simë Dobreci është një maje mali e lartë, e bardhë si bora e Rumisë. Trashëgoi dhe kultivoi, gjatë gjithë jetës, dashuri të veçantë për vendin dhe kombin e vet.”

I shqetësuar për gjendjen e mjerë të shqiptarëve të tjetërsuar në Shestanin e tij dhe në treva përreth, prof. dr. Simë Dobreci me gjithë dufin e shpirtit, apelon në të folmen shestanase, të cilën e respekton dhe e dashuron aq shumë:

“O burra e burrnesha, thone t’vërtetën qi jini shqyptar. Folne dhe duene gjuhën e nanës tuej, gjuhën shqype qi jav lanë t’partë; gjuhën qi ata e ruejten me qina e mija vjet; ta hupni atë gjuhë isht mkat i madh. Kur neroni gjuhën e vet, ju neroni t’partë e vet dhe vetveten, rranxën dhe fisin e vet. Atëherë edhe tjerët kanë me ju nerue dhe kini me mujtë me kërkue t’drejtat e veta, t’drejtat njerzore qi ju takojnë.”  

Kur i lexojmë këto rreshta dhe shkrimet tjera në këtë vepër na kujtojnë shqetësimin e pararendësit të letrave shqipe, Gjon Buzukut, shekuj më parë, kur me “Mesharin” e përkthyer nga ai, synonte “me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ndiglonjinë”, ose të Naum Veqilharxhit, apostullit të parë të Rilindjes Kombëtare, kur përpiqej që nipin e tij të helenizuar ta bindë se edhe shqiptarët janë një komb me gjuhë, histori dhe me traditë të veçantë.

Prof. Simë Dobreci është njeri fjalëpak. Nuk e ka shprehi, as nuk ka kohë të flasë për punën dhe veten e tij. Por, për Doktorin dhe veprën e tij flasin e shkruajnë të tjerët, me respekt e me admirim, për të cilën gjë dëshmojë edhe shkrimet, vlerësimet, letrat etj. në kapitullin e dytë të këtij libri, me nëntitull “Shkrime, polemika dhe vlerësime”, si dhe recensionet e kësaj vepre, të shkruara nga studiuesit tanë të njohur, dr. Rrustem Berisha dhe prof. dr. Jahja Drançolli. Me këtë rast unë do të veçoja edhe faktin se studiuesi kranjan Ali Gjeçbritaj, në veprën e tij “Shkolla në Krajë” (2013), Simë Dobrecin e vendosë në kuadër të “kranjanëve, intelektualëve që lanë gjurmë të pashlyer në jetën arsimore, kulturore, shkencore dhe shoqërore.” Po, Simë Dobreci me veprën dhe personalitetin e tij, e nderon Krajën, Ulqinin e Tivarin. Personaliteti, vepra, fjala e sjellja e tij edukojnë dhe frymëzojnë. 

Simë Dobreci ka kohë që i ka kaluar caqet lokale e rajonale. Si profesor universitar, mjek dermatolog, studiues i pasionuar dhe personalitet fisnik e me emër të mirë, ai gëzon respekt të veçantë dhe vlerësohet kudo ku ka shqiptarë dhe më gjerë. Për këtë dëshmojnë edhe mirënjohjet e dekoratat e shumta të tij, kulmuar me “Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e dhënë në shërbimin civil” (2016), nga Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga dhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit” (2017), nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani.

Me veprën “Përmbledhje vlerash njerëzore” prof. dr. Simë Dobreci, veç konstributit shkencor e kulturor, i ngriti edhe një përmendore intelektuale brezave të shkuar të të parëve, vetes së tij, brezit tonë dhe atyre që do vijnë. Ju lumtë Profesor!

Në fund, por jo për nga rëndësia, unë do të doja të përshëndes edhe zonjën Lule Dobreci, bashkëshorten e Profesorit tonë, e cila ishte dhe është krahu i djathtë dhe i fortë i tij. Ajo lindi, rriti dhe edukoi katër sokola shqiptarë shestanas, të cilët, gjithashtu, i përshëndes dhe uroj si mëmetërit tanë: “Me jetë kjoshi!”, kudo që jeni, dhe “Kjoshi t’bardhë!”.

(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Prishtinë, më 13 maj 2019)

Scroll To Top